Mëngjesin e sotëm në disa pika të karburantit në Tiranë, çmimi i naftës ka vazhduar rritjen e cila është duke kapur majat prej disa ditësh tanimë. Çmimi është shtrenjtuar me 6 lekë duke mbërritur në nivelin prej 199 lekësh për litër. Prej mbi dy javësh nga nisja e luftës në Lindjen e Mesme sot në tregun e pakicës është shënuar niveli më i lartë për çmimin e shitjes, krahasuar me nivelin e çmimit para nisjes së luftës, rritja është 24 lekë për litër apo 14% më shumë.
Rritja e çmimit të naftës në Shqipëri në rreth 200 lekë për litër vjen në një kohë kur tregjet ndërkombëtare kanë shfaqur luhatje të forta për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, por jo në të njëjtin nivel. Në bursë, çmimi i naftës përkthehet në rreth 60–70 lekë për litër, çka tregon një diferencë të madhe me çmimin final në vend. Kjo diferencë lidhet kryesisht me taksat e larta, që përbëjnë rreth 60% të çmimit, si dhe me kostot e zinxhirit të furnizimit.
Megjithatë, analiza e zhvillimeve të fundit tregon se rritja e çmimeve në Shqipëri nuk ndjek gjithmonë të njëjtin ritëm me bursat ndërkombëtare. Ka raste kur çmimet globale bien, ndërsa në tregun vendas vijojnë të rriten, duke ngritur dyshime për mungesën e konkurrencës duke e fokusuar tregun në pak duar të lidhura me pushtetin dhe elementëve të tjerë spekulativë në treg.
Sa i përket kapaciteteve, Shqipëria nuk përballet me rrezik të menjëhershëm për mungesë nafte, pasi disponon rezerva që mund të mbulojnë deri në disa muaj konsum, megjithatë problemi kryesor mbetet ekspozimi i lartë ndaj çmimeve dhe struktura e tregut duke futur edhe elementët spekulativë që shtyhen nga vetë pushteti.






