Avokati Altin Goxhaj ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për në strukturat e Dhomës së Avokatisë, duke e shoqëruar këtë vendim me një letër të hapur drejtuar kolegëve. Në këtë letër, ai e cilëson avokatinë si “profesioni më i poshtëruar në vend” dhe shprehet se po kandidon për të larë “turpin tim shumëvjeçar“, duke ftuar çdo avokat të bëjë të njëjtën gjë duke e votuar. Sipas Goxhajt, vetë trupa e avokatëve është fajtore për degradimin e profesionit, pasi prej dekadash ka lejuar që të përfaqësohet në mënyrë të turpshme. Ai thekson se përfaqësuesit aktualë ose i kanë tradhtuar ose i kanë braktisur ata në një moment kyç për të ardhmen e profesionit.
Kritika më e ashpër e avokatit Goxhaj i drejtohet qëndrimit të Dhomës së Avokatisë ndaj Reformës në Drejtësi, të cilën dhoma e ka mbështetur pa rezerva. Goxhaj pretendon se tani çdo avokat e sheh me sytë e tij rezultatin shkatërrimtar të kësaj reforme: një sistem drejtësie i paralizuar, procese gjyqësore të stërzgjatura dhe hetime të mbushura me probleme. Ai përmend shqetësime të tjera si vonesat e mëdha në procese, mungesën e sistemeve efikase online dhe vështirësitë e shumta që hasin avokatët në ushtrimin e profesionit. Sipas tij, kjo situatë ka depersonalizuar dhe poshtëruar avokatin, duke e bërë atë të pafuqishëm përballë një sistemi politik dhe juridik të kalbur.
Letra e hapur e Goxhajt përmban gjithashtu një thirrje të fortë për reagim nga vetë komuniteti i avokatëve, duke i bërë thirrje kolegëve të mos jenë më spektatorë pasivë. “Ne kemi misionin të mbrojmë qytetarët dhe të drejtat e tyre, por prej tre dekadash nuk po arrijmë të mbrojmë as veten tonë,” shprehet ai në letrën e tij, duke nënvizuar një dështim të thellë institucional. Kandidatura e tij vjen në një moment kur dhoma po përgatitet për zgjedhjet e reja. Përmes këtij reagimi, Goxhaj synon të vendosë në qendër të debatit jo emrat e kandidatëve, por dështimin e gjithë sistemit të drejtësisë dhe nevojën për një rinovim të plotë.
Ky qëndrim i tij vjen në vazhdën e një serie akuzash të mëparshme ndaj klasës politike dhe sistemit të drejtësisë. Goxhaj është shprehur hapur që në fillim kundër Reformës në Drejtësi, duke deklaruar se Gjykata Kushtetuese e kohës së mëparshme ishte më efikase se ajo e dalë nga reforma. Kandidatura e tij për në Dhomën e Avokatisë përkon me një periudhë tepër të keqe në sistemin e drejtësisë, ku edhe kolegë të tjerë kanë shprehur pakënaqësi, ndërsa vetë dhoma është përballur me bojkote nga avokatët. Me këtë nismë, Altin Goxhaj synon të ngrejë zërin për një pastrim të thellë të profesionit, duke u paraqitur si zëri i atyre që kërkojnë një drejtësi ndryshe në Shqipëri.
Letra e hapur:
Ju lutem shpërndajeni:
Letër e hapur drejtuar avokatëve të Shqipërisë
Nga Avokati Altin Goxhaj
Të nderuar kolegë! Po kandidoj për të larë turpin tim shumëvjeçar. Dhe kush të dojë, të premten mund të lajë edhe turpin e vet dhe të gjithë mund të lajmë turpin tonë.
Sepse ne, avokatët, sot jemi kthyer në profesionin më të poshtëruar në Shqipëri. Dhe askush nuk na e ka fajin përveç vetes!
Sepse kemi kaq vjet që kemi lejuar të përfaqësohemi në mënyrë të turpshme nga kjo Dhomë Avokatie!
Ne kemi misionin të mbrojmë qytetarët dhe të drejtat e tyre, por prej tre dekadash nuk po arrijmë të mbrojmë as veten tonë. Jemi tradhtuar nga përfaqësuesit tanë, duke u bërë gjithnjë e më të dobët, më të pavlerë dhe më të pafuqishëm përballë një sistemi juridik dhe politik që na ka depersonalizuar dhe poshtëruar.
Dekada e fundit ka qenë shkatërrimtare për drejtësinë, për qytetarët dhe mbi të gjitha për ne avokatët. Përfaqësuesit tanë, që ne kemi lejuar të drejtojnë Dhomën e Avokatisë ose na kanë shitur, ose në rastin më të mirë na kanë braktisur.
Dhoma e Avokatëve ka qenë mbështetëse e Reformës në Drejtësi, ndërkohë që sot çdo avokat e sheh me sytë e vet rezultatin: një sistem i paralizuar, procese të stërzgjatura, hetime problematike dhe gjyqe që mund të zgjasin në rastin më të mirë deri në 8 vjet.
Sot avokatët trajtohen si të dyshuar dhe jo si pjesë e sistemit të drejtësisë. U merren edhe mjetet minimale të punës për të ushtruar profesionin e tyre, siç ndodh me telefonin psh në Gjykatën Administrative Tiranë (ku kemi ligjet, kalendarët, dhe çdo informacion referencial). Nuk po flas për peripecitë në Komisariatet e Policisë!
Dymbëdhjetë vjet më parë, çdo avokat mund të kontrollonte online çdo proces gjyqësor në Tiranë. Sot, për të siguruar një fjalëkalim për një çështje të vetme, shpesh përballesh me një kalvar burokratik dhe 95% e avokatëve kanë hequr dorë nga përdorimi i vetë sistemit online.
Megjithëse kemi numra telefoni dhe emaile aktive, bredhim nga një gjykatë në tjetrën, nga një qytet në tjetrin për të mësuar në sportele se gjyqi nuk do të zhvillohet, dhe askush nuk reagon se pse nuk kemi një sistem efektiv online komunikimi me gjykatat!
Harta Gjyqësore shkatërroi punën dhe profesionin e qindra avokatëve, ndërsa Dhoma reagoi kur gjithçka kishte përfunduar.
Sot një avokat që merr praktikantë duhet të përballojë kosto që shumë zyra nuk i përballojnë dot. Rezultati është i qartë: praktikantët mbeten pa praktikë reale dhe ne avokatët pa mbështetjen e tyre.
Policia dhe institucione të tjera të sistemit të drejtësisë na trajtojnë pa dinjitetin profesional që në fakt nuk e meritojmë për shkak të indiferencës sonë.
Parlamenti dhe qeveria na konsiderojnë sikur nuk ekzistojmë kur hartojnë dhe miratojnë ligje dhe akte që prekin sistemin dhe punën tonë!
Dhe arsyeja është e thjeshtë: ata e dinë që ne jemi të dobët, sepse kemi lejuar për vite të tëra të na përfaqësojnë njerëz që nuk kanë mbrojtur interesat tona por vetë sistemin.
Nuk po kandidoj sepse jam i bindur që do të fitoj.
Po kandidoj sepse kam turp të shoh veten në pasqyrë para se të nisem për në gjykatë apo në zyrë. Me çfarë morali do të mbroj qytetarët, kur vetë jam pjesë e një trupe profesionale që nuk po arrin të mbrojë veten?
Ne kemi një forcë të jashtëzakonshme. Një trupë avokatësh e organizuar nga një Dhomë Avokatie mund të detyrojë çdo qeveri dhe çdo sistem të respektojë të drejtat tona dhe të qytetarëve. Ne kemi shumë armë por mbi të gjitha në rast të refuzimit kemi një “armë finale” që Qeveria e kupton: Bojkotin e masave të sigurisë! Dhe ne e dimë pasojën por edhe rezultatin! Po kush ta bëjë? Këta që na kanë shitur apo në rastin më të mirë na kanë braktisur?
Nëse kandidatura ime merr votat për t’u zgjedhur, kjo do të ndodhë vetëm nëse avokatët që mendojnë si unë shohin tek unë një njeri që do të përballet në një betejë pa kompromis me ata që kanë bashkëpunuar me degradimin e profesionit tonë dhe me shkatërrimin e drejtësisë.
Sepse sot nuk është në kastruar vetëm profesioni i avokatit. Është shkretuar vetë Drejtësia dhe po shpopullohet e gjithë Shqipëria!
Dhe do vijë një ditë që do na bëjnë pyetjen shah-mat:
PO JU AVOKATËT KU ISHIT?!
Faleminderit.





