Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se Shqipëria po përballet me një kërcënim ekzistencial. Sipas tij, përballë këtij rreziku kërkohet një qëndrim ndërkombëtar kundër narkoshtetit. Në fjalën e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ai foli për rëndësinë e diasporës shqiptare. Berisha tha se asnjë komb nuk mund të ndihet më krenar për diasporën e vet sesa kombi shqiptar. Ai e lidhi këtë krenari me angazhimin për të mbrojtur të ardhmen e Shqipërisë.
Lideri i opozitës u ndal edhe në të dhënat demografike që tregojnë largimin e shqiptarëve. Sipas Eurostat-it, nga çdo 1 mijë shqiptarë, 466 jetojnë në vendet e Bashkimit Europian. Berisha e paraqiti këtë si pasojë të qeverosjes dhe jo si zgjedhje të natyrshme. Ai shtoi se Shqipëria është eksportuesja e parë e kanabisit në rajon. Gjithashtu, sipas tij, kartelet shqiptare të drogës janë ndër transportuesit më të mëdhenj të kokainës në Evropë.
Berisha: Asnjë komb nuk mund dhe nuk duhet të jetë më krenar për diasporën e tij sesa kombi shqiptar. Diasporës i detyrohemi pothuajse mbijetesën tonë, liritë tona, si dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën tonë. Por sot, për fat të keq, më duhet t’ju paraqes një tablo të tmerrshme, një efekt shkatërrues të emigracionit në vendin tim.
Justin Gast, në një studim të kryer në 149 vende, ka arritur në përfundimin se emigracioni mund të shkaktojë një “rrjedhje demografike” dhe të ketë pasoja shumë të rënda.
Në Shqipëri, kjo e ka vendosur kombin përballë një kërcënimi real ekzistencial. Aktualisht, në hapësirën e Bashkimit Evropian, sipas Eurostat-it, nga çdo 1 mijë shqiptarë, 466 jetojnë në vendet e BE-së. Imagjinoni se në çfarë gjendjeje ndodhemi. Kjo është tërësisht pasojë e narkoshtetit shqiptar, i cili është narkoshteti i vetëm në botë, por fatkeqësisht ende i panjohur dhe i pavlerësuar si i tillë nga Evropa.
Shqipëria është eksportuesja e parë e kanabisit, ndërsa kartelet shqiptare të drogës janë transportuesit më të mëdhenj të kokainës në Evropë. Për ta përmbyllur, është jetike një qëndrim ndërkombëtar ndaj këtij narkoshteti, për të shpëtuar kombin. Faleminderit shumë.






