Studenti shqiptar Ferdinand Nokaj, 25 vjeç, u gjet pa shenja jete në brigjet e lumit Adige pesë ditë pas zhdukjes. Trupi i tij u zbulua më 5 shtator në Grumo. Megjithatë, familja nuk e mësoi për rreth 20 ditë se ai ndodhej në morgun e spitalit Santa Chiara në Trento. Babai i tij e identifikoi më 25 shtator përmes fytyrës dhe një tatuazhi në gjoks.
Tre orë para mesazhit të fundit, Ferdinandi i kishte treguar familjes se ishte sulmuar në Rovereto nga disa të rinj shqiptarë. Ai kishte shenja në fytyrë dhe ishte i frikësuar. Babai i kishte kërkuar të shkonte menjëherë te karabinierët. I riu i ishte përgjigjur se po mendonte ta bënte këtë.
Familja ndërpreu pushimet në Shqipëri dhe nisi kërkimet për të. Babai udhëtoi vazhdimisht drejt Trentos në përpjekje për ta gjetur. Prokuroria e Trentos ka hapur një dosje për nxitje të vetëvrasjes. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e humbjes së jetës së 25-vjeçarit.





