Ditën e sotme aktivistët Aurel Kujtimi dhe Andrea Bregu kanë dërguar një letër të hapur institucioneve të Bashkimit Europian, përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe anëtarëve të grupimeve parlamentare në Parlamentin Europian të Partisë Popullore Europiane dhe Konservatorëve dhe Reformistëve Europianë. Letra ka të bëjë me ndërtimin e Kolegjit të Europës mbi territorin e planifikuar për ndërtimin e Kampusit Universitar që është pjesë e Paktit për Universitetin pas protestave të studentëve në vitin 2018. Në këtë letër aktivistët gjithashtu denoncuan ndikimin e Federica Mogherinit dhe Luigi Soreca për ndërtimin e Kolegjit të Europës në Qytetin Studenti dhe kompaninë ED Konstruksion që është një nga kompanitë që ka marrë tenderin nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit pas proçedurave anti-ligjore të Bashkisë Tiranë, Rezidencës Studentore Universitare nr.1 dhe Këshillit të Ministrave.
Kompania ED Konstruksion është e akuzuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për falsifikimin e dokumentacioneve në tenderat e zhvilluara nga Rezidenca Studentore Universitare nr.1, të ish-drejtoreshës Anila Shehu, gjithashtu kjo kompani është përfshirë në marrjen e tenderave në bashkëpunim me 5D Konstruksion në Bashkinë Tiranë nga Elton Kacidhja.
Aktivistët paralajmëruan se do ti drejtohen institucioneve për të nisur hetimet për këtë skandal korruptiv dhe do të kenë kontakte të mëtejshme me zyrtarë të Bashkimit Europian dhe eurodeputetët e grupimeve parlamentare të EPP dhe ECR në Parlamentin e Bashkimit Europian.
Letra e plotë në gjuhën shqipe:
AKTIVISTËT LETËR TË HAPUR BASHKIMIT EUROPIAN
24 Dhjetor, 2024
LETËR E HAPUR PËR BASHKIMIN EUROPIAN
Aurel Kujtimi, Aktivist i studentëve në Shqipëri, Përfaqësues i “Studentët Denoncojnë”
Andrea Bregu, Aktivist Konservator i të Drejtave të Njeriut në Shqipëri, Gazetar Investigativ
Drejtuar:
Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri
Shtëpia e Europës, Selia e Bashkimit Europian në Shqipëri
Parlamentit të Bashkimit Europian
Komisionit Europian
Grupimit: Partia Popullore Europiane EPP në Parlamentin European
Grupimit: Konservatorët dhe Reformistët Europianë ECR në Parlamentin Europian
Të nderuar!
Ne jemi aktivistë të kauzave studentore që prej vitesh jemi marrë me problematikat e studentëve dhe ngritjen e zërit dhe përfaqësimit të studentëve për shqetësimet dhe çdo problematikë që ngrenë studentët në rang kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Në vitet e fundit jemi përfshirë në një përballje ligjore në institucionet e Republikës së Shqipërisë kundër zyrtarëve të lartë që kanë abuzuar me fondet dhe kanë bërë vepra të rënda në shkelje të ligjit për sa i përket vjedhjes, abuzimit dhe keqpërdorimit të të ardhurave publike të taksapaguesve shqiptarë në investimet e arsimit të lartë.
Shqetësimi i fundit ka të bëjë me problematikën e Kolegjit Europian që është një nga skandalet në të cilin janë të përfshirë zyrtarët e lartë të Republikës së Shqipërisë si Kryeministri Z. Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë Z. Erion Veliaj.
Në lidhje me problematikën mbi të cilën ju shkruajmë jemi të shqetësuar për faktin se në Shqipëri pas protestave të zhvilluara nga studentë në vitin 2018 nga qeveria e Republikës së Shqipërisë si pjesë e “Paktit për Universitetin” studentëve i është premtuar Kampusi Universitar me qëllim përmirësimin kapaciteteve dhe të kushteve të jetesës të studentëve që zhvillojnë jetën universitare në kryeqytetin e Shqipërisë, në zonën e quajtur Qyteti Studenti. Qeveria e Republikës së Shqipërisë me Kryreministrin Z. Edi Rama bashkë me institucionet përkatëse të pushtetit vendor si Bashkia e Tiranës me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Z. Erion Veliaj premtuan ndërtimin e këtij Kampusi Universitar por sot e kësaj dite nuk ka filluar ndërtimi për këtë kampus.
Bashkimi Europian përmes granteve dhe ndihmave financiare që ka dhënë për ngritjen dhe ndërtimin e infrastrukturës arsimore në Shqipëri prej vitesh, sidomos pas protestave të zhvilluara nga studentët në vitin 2018 është i përfshirë në këtë çështje që për studentët e Shqipërisë është jetike.
Fakti është se në territorin e Qytetit Studenti ku është premtuar ndërtimi i Kampusit Universitar proçedurat ligjore nga Bashkia e Tiranës kanë nisur që në vitin 2022 por akoma nuk ka nisur ndërtimi i këtij kampusi për shkaqe të mungesës së financimit nga Bashkia Tiranë dhe për faktin se përfaqësues aktualë dhe ish-përfaqësues të Bashkimit Europian si Federica Mogherini, ish-përfaqësuesja e Bashkimit Europian për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurimit, aktualisht Rektore e Kolegjit të Europës dhe Luigi Soreca dhe të tjerë kanë ndërhyrë në mënyrë direkte që Kampusi i Europës, një entitet privat të ndërtohet mbi gjurmë territori që është planifikuar të ndërtohet një pronë dhe një investim publik në nevojë kritike për kushtet e jetesës të mijëra studentëve Shqiptarë që kërkojnë kushte më të mira jetese dhe hapësira tepër të nevojshme studimi për jetën universitare.
Proçedurat ligjjore për ndërtimin e Kampusit të Europës po kryhen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me drejtues përkatës Z. Dritan Agolli pas kalimit të administrimit dhe zhvillimit në këtë gjurmë territori nga Bashkia e Tiranës në shkelje flagrante të ligjeve të Republikës së Shqipërisë. Menaxhimi dhe administrimi i kësaj gjurme territoriale dhe godinave që kanë nisur të ndërtohen më vonë do ti kalojë Kolegjit të Europës me një afat të papërcaktuar.
Në këtë vit, pra në vitin 2024 Z. Edi Rama dhe Z. Erion Veliaj kanë dhënë këto proçedura në kundërshtim dhe në shkelje të ligjeve të Republikës së Shqipërisë por funksionarët e lartë të Shqipërisë në këtë rast kanë shkuar edhe më tej duke i zhvilluar këto proçedura pa kryer fillimisht konsultimin publik me grupin e interesit që janë studentët e akomoduar në Qytetin Studenti.
Një nga kompanitë që është shpallur fituese në këtë proçedurë është kompania ED Konstruksion që për këtë kompani ka një akuzë të ngritur në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për Falsifikimin e dokumentacioneve për një proçedurë tenderimi me Bashkinë Tiranë në Qytetin Studenti ku ne e kemi dërguar institucioneve për hetim. ED Konstruksion gjithashtu është përfituese e tenderave në Bashkinë e Tiranës ku në skandalin e 5 Drejtorëve, një nga drejtorët Elton Kacidhja ka firmosur për dhënien e tenderave për këtë kompani në Bashkinë e Tiranës.
Kjo është një shkelje flagrante e ligjeve të Republikës së Shqipërisë nga ana e funksionarëve të lartë të shtetit Shqiptar por gjithashtu edhe një përfshirje në mënyrë indirekte në këtë skandal të përfaqësuesve dhe ish-përfaqësuesve të Bashkimit Europian të përmendur më sipër ose jo.
Ne do ti drejtohemi institucioneve përkatëse për të nisur hetimin ligjor mbi këtë skandal dhe për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë personat e përfshirë në këtë skandal dhe në aferën korruptive përkatëse.
Nëse nuk jeni vënë ende në dijeni nga Znj. Federica Mogherini dhe Z. Luigi Soreca në lidhje me këtë aferë korruptive dhe skandal nga ana e funksionarëve të lartë shtetëror në Republikën e Shqipërisë, kjo letër nga ana jonë është një vënie në dijeni për këtë aferë korruptive dhe skandal ku janë të përfshirë përfaqësues apo ish-zyrtarë të Bashkimit Europian dhe kërkojmë adresimin e kësaj problematike pranë instancave përkatëse të mekanizmit të Bashkimit Europian.
Duke ju falenderuar për marrjen e kohës duke lexuar këtë letër, jemi në pritje të një komunikimi të mëtejshëm me ju!
Aurel Kujtimi
Andrea Bregu