Studentët përmes platformës Studentët Denoncojnë kanë thirrur një peticion drejtuar Bashkisë Tiranë dhe institucioneve për ndalimin e qarkullimit dhe vendosjen e traut në të gjitha hyrjet e Qytetit Studenti. Nëpërmjet peticionit studentët kërkojnë zyrtarisht nga institucionet që të vendosin tra në hyrjet e Qytetit Studenti dhe ndalimin e qarkullimit për shkak të shqetësimeve të shumta prej kohësh për shqetësimet dhe ngacmimet që të fortët me pushtet bëjnë çdo ditë prej kohësh në Qytetin Studenti.
Kjo iniciativë është për ti rikthyer Qytetin Studenti, studentëve. Prej kohësh institucionet përgjegjëse kanë bërë veshin shurdh ndaj shqetësimeve dhe denoncimeve të shumta në platformën Studentët Denoncojnë dhe ky është hapi i parë ku studentët paraqesin institucioneve kërkesa konkrete mbi qarkullimin në Qytetin Studenti.
KLIKO PËR TË NËNSHKRUAR PETICIONIN
Peticioni:
Studentët Peticion: Ndaloni qarkullimin e mjeteve private në Qytetin Studenti, vendosni tra në të gjitha hyrjet e Qytetit Studenti. Qyteti Studenti u takon studentëve jo gangove me pushtet.
DREJTUAR:
Bashkisë Tiranë
Rezidencës Studentore Universitare nr.1
PËR DIJENI:
Ministrisë së Brendshme
Drejtorisë vendore të Policisë së Shtetit Tiranë
Të nderuar!
Ne studentë në Qytetin Studenti, jemi të shqetësuar për problematikën e qarkullimit të makinave private që nuk kanë asnjë lidhje me Qytetin Studenti. Çdo ditë në Qytetin Studenti qarkullojnë makina private me qëllim shqetësimin dhe ngacminin e studenteve në akomoduara në Qytetin Studenti dhe në godinat përkatëse. Ne publikisht prej kohësh këtë shqetësim e kemi adresuar pranë plaftormës “Studentët Denoncojnë” dhe reagimet tona kanë rënë në vesh të shurdhër nga ana jush dhe me anë të këtij peticioni drejtuar dhe adresuar tek ju po bëjmë kërkesë zyrtarisht për të ndaluar qarkullimin e makinave private në Qytetin Studenti që nuk kanë lidhje me studentët e akomoduar apo me banorët që banojnë në Qytetin Studenti.
Qëllimet e atyre që qarkullojnë në Qytetin Studenti me makina private me xhama të zinj janë për të shqetësuar studentët dhe arrin deri tek qëllimi për ngacmime seksuale. Qëllimi i institucioneve duhet të jetë garantimi i ligjit dhe jetesës normale në Qytetin Studenti të studentëve por edhe të banorëve.
Ne kërkojmë në mënyrë të menjëhershme vendosjen e traut në të gjitha hyrjet e Qytetit Studenti dhe moslejimin e makinave private që nuk kanë lidhje me studentët dhe banorët.
Përjashtim në këtë rast bëjnë mjetet e shërbimeve si ambulanca, mjetet e policisë së shtetit, mjetet e zjarrëfikseve, autobuzët e linjës së Qytetit Studenti, mjetet e punonjësve të Rezidencës Studentore Universitare nr.1, taksitë dhe mjetet e banorëve.
Qyteti Studenti na takon ne, studentëve jo makinave dhe gangove me pushtet.