Ditën e sotme qindra studentë shqiptarë të mbështetur nga qytetarë protestuan në Shkup duke kërkuar që të respektohet Kushtetuta, ligji dhe e drejta e tyre për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, krahas asaj maqedonase Protesta filloi në formë marshimi në Urën e Gurit dhe kulmoi me mbledhjen e tyre përpara Ministrisë së Drejtësisë duke kërkuar dorëheqjen e ministrit Igor Fillkov dhe zhvillimin e provimit në gjuhën shqipe.
Studentët shqiptarë shprehen se detyrimi për ta dhënë këtë provim në gjuhën maqedonase përbën një akt diskriminues dhe një shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjit për përdorimin e gjuhëve. Gjithashtu sipas studentëve kjo problematikë ka zvarritur avancimin akademik dhe profesional të studentëve shqiptarë për gati dy dekada.
Përpara protestës, studentët i janë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë me një kërkesë zyrtare, të mbështetur nga 385 nënshkrime të mbledhura nga tre universitetet shqiptare; Universiteti i Evropës Juglindore, Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup.
Studentët kanë paralajmëruar se protesta e sotme paqësore ishte vetëm hapi i parë duke mos përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të veprimeve, përfshirë bojkotimin e provimeve, nëse zëri i tyre nuk dëgjohet.
“Ne si studentë në Maqedoninë e Veriut, studiojmë në gjuhën amtare, në gjuhën shqipe. Provimet i japim në gjuhën shqipe, ndërsa provimin e jurisprudencës detyrohemi ta japim në gjuhën maqedonase, ku ndihemi të diskriminuar dhe këtu nuk respektohet kushtetuta dhe ligji.” – ka deklaruar studenti Ylli Rustemi.
Disa nga sloganet kryesore në protestë ishin “Mos mohoni një të drejtë të fituar”, “Studentët nuk tolerojnë” dhe “Ministër Dorëhiqu” teksa protesta pritet të vijojë deri në plotësimin e kushteve.





