Një zjarr i madh ka rënë mbrëmjen e sotme në kompleksin “Kadiu” në zonën e Ali Demit në Tiranë, duke përfshirë një nga pallatet e sapondërtuara. Tymi i dendur ka detyruar dhjetëra banorë që të dalin me urgjencë nga banesat e tyre, mes tyre edhe fëmijë, ndërsa zjarri dyshohet se ka nisur nga kabina e automateve elektrike. Situata është përkeqësuar nga mungesa e aksesit për mjetet e emergjencës, pasi rruga para pallatit ishte e bllokuar, duke vështirësuar hyrjen e zjarrfikëses dhe ambulancës.
Zjarrfikësit kanë ndërhyrë menjëherë dhe pas një ore përpjekjesh ia kanë dalë të lokalizojnë flakët që kishin përfshirë pjesën më të madhe të fasadës së pallatit. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar apo viktima, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme në disa kate. Shkaqet e sakta të zjarrit janë ende të paqarta dhe pritet të zbardhen.





