Në vendimin e së hënës, gjyqtarët kushtetues vendosën me shumicë 5 me 3 vota ta rikthenin dosjen në Gjykatën e Lartë për një rigjykim të masës së sigurisë “arrest në burg“. Vendimi u mbështet në praktikën e Kolegjeve të Bashkuara dhe në opinionin e Komisionit të Venecias, teksa Kushtetuesja konstatoi shkelje procedurale. Në thelb, vendimi shfuqizon vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë si të papajtueshëm me Kushtetutën, por nuk jep zgjidhje për lirimin apo qëndrimin në burg të kryebashkiakut. Për Erion Veliajn, që ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit 2025 dhe përballë 13 akuzave të rënda penale përfshirë korrupsion pasiv dhe pastrim parash, ky vendim e çon atë një hap drejt lirimit në mes dyshimeve dhe mosndëshkimit.
Kjo lëvizje e gjykatës kushtetuese i kalon përsëri përgjegjësinë Gjykatës së Lartë, një institucion që drejtohet nga kryetari Sokol Sadushi. Ai ka ushtruar për herë të parë të drejtën e tij për të nxjerrë një “vendim të ndërmjetëm“, i cili kërkonte ndryshimin e praktikës së njësuar të Gjykatës së Lartë të vitit 2011 lidhur me masat e sigurimit personal. Kjo shihet si një përpjekje për të krijuar një “trase” juridike që i shërben posaçërisht Veliajt, duke ulur kriteret për paraburgimin e zyrtarëve të lartë. Më konkretisht, Sadushi ka kërkuar që gjykatat të mos mbështeten vetëm te natyra e veprës por edhe te rrethanat personale dhe familjare, një ndryshim që do ta favorizonte Veliajn për të marrë “arrest shtëpie” apo “detyrim paraqitje” duke argumentuar rolin e tij si prind dhe kryebashkiak i zgjedhur.
Dyshimet për Sadushin janë përforcuar nga lidhjet e tij të dokumentuara me gazetarin Mero Baze, i njohur si mbështetës i fuqishëm i familjes Veliaj. Burime mediatike raportojnë se Sadushi konsiderohet “borxhli” ndaj Bazes për mbështetjen mediatike që i dha gjatë karrierës së tij, dhe tani, si kryetar i gjykatës ku do të zhvillohet rigjykimi, ai pritet të veprojë në interes të Veliajt.
Tani “topi” i vendimit për lirimin e Erion Veliajt i është hedhur përsëri Sokol Sadushit dhe Gjykatës së Lartë që ai drejton. Në një kontekst ku i pandehuri, në këtë rast Veliaj, pret edhe një vendim tjetër më 28 maj për të njëjtën kërkesë ndryshimi mase, roli i Sadushit bëhet vendimtar. Pyetja që mbetet është nëse gjyqtarët e tjerë të Kolegjeve të Bashkuara do të bien nën ndikimin e kryetarit të tyre, apo do të ruajnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë përballë këtyre manovrave të dyshimta.






