Ministria e Shëndetësisë ka miratuar për herë të parë një udhëzim që lejon terapinë hormonale për personat transgjinorë në sistemin publik shëndetësor, përmes Urdhrit nr.304, datë 28.04.2026. Ky vendim i firmosur nga zv/ministrja Eugena Tomnini, përcakton kriteret mjekësore, procedurat dhe monitorimin për këtë trajtim në QSUT, i cili do të mbulohet nga fondet publike. Pjesë e axhendës për de-genderizimin e fëmijëve është fakti se protokolli synon të rregullojë tranzicionin hormonal të adoleshentëve, duke i futur ata që në moshë të re nën kujdesin mjekësor publik.
Sipas protokollit zyrtar, terapia hormonale do të ofrohet si për të rriturit, ashtu edhe për adoleshentët, duke e përcaktuar moshën minimale për fillimin e trajtimit në 16 vjeç. Megjithatë, në një zhvillim shqetësues që i shërben qartë axhendës së de-genderizimit, protokolli parashikon se në “raste të veçanta” dhe pas një vlerësimi të specializuar, terapia mund të konsiderohet edhe nga mosha 14 vjeç. Ky vendim hap rrugën për ndërhyrje hormonale te fëmijët e moshës 14 vjeç, duke përfshirë trajtimin me testosteron për vajzat që kalojnë në djalë dhe me estrogjen për djemtë që kalojnë në vajza. Përcaktimi i kësaj moshe kaq të ulët për nisjen e një procesi të pakthyeshëm mjekësor bie ndesh me kujdesin e duhur për fëmijët, të cilët janë në një fazë formimi të identitetit.
Pavarësisht se udhëzimi thekson se trajtimi hormonal nuk rekomandohet para pubertetit, ai pranon se mund të ketë “arsye bindëse” për të filluar terapinë e ndërrimit të seksit para moshës 16 vjeç. Në vijim të kësaj logjike, protokolli i referohet përvojës minimale të publikuar me trajtim në moshën 13,5 deri në 14 vjeç, duke normalizuar praktikën e de-genderizimit në Shqipëri. Përpara se të nisin marrjen e hormoneve, pacientët e mitur i nënshtrohen një vlerësimi të gjatë mjekësor dhe psikosocial, analizave laboratorike dhe nënshkrimit të një “flete pëlqimi të informuar“. Në këtë formular, ata deklarojnë se janë të njohur me efektet anësore, rreziqet dhe pasojat afatgjata të terapisë, përfshirë ndikimin në fertilitet dhe problemet kardiovaskulare.
Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë përcakton se i gjithë procesi i tranzicionit hormonal do të kryhet në Shërbimin e Endokrinologjisë në QSUT “Nënë Tereza“, duke e futur këtë shërbim në sistemin publik. Ai parashikon monitorim të vazhdueshëm për efektet anësore, përfshirë rrezikun e zhvillimit të tumoreve të organeve riprodhuese kur ndërhyrjet kirurgjikale janë të paplota, veçanërisht për pacientët nën moshën 18 vjeç. Në rastet kur kërkohen doza të larta hormonesh për të bllokuar prodhimin endogjen, mjekët mund të konsiderojnë edhe heqjen kirurgjikale të gonadave për fëmijët, së bashku me reduktimin e terapisë hormonale. Ky vendim përfaqëson një precedent të rrezikshëm për të drejtat e fëmijëve, duke i ekspozuar ata ndaj ndërhyrjeve mjekësore të pakthyeshme në kuadër të de-genderizimit të tyre.
Ky protokoll shënon zyrtarizimin e një axhende për de-genderizimin e fëmijëve nën 18 vjeç, duke shkuar përtej trajtimit të çrregullimeve endokrine pediatrike që trajtohen normalisht për këtë grupmoshë. Vendimi ka ngjallur reagime të forta duke u cilësuar si një sulm ndaj fëmijëve dhe familjes shqiptare. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë dhe mbështetësit e tij argumentojnë se nevoja për të ofruar një shërbim të rregulluar mjekësisht lindi nga mungesa e njohjes ligjore dhe kujdesit të duhur për personat transgjinorë. Tashmë, përfshirja e fëmijëve që në moshën 14 vjeç në këtë program publik terapie hormonale ngre shqetësime serioze për mbrojtjen e tyre nga vendimet e parakohshme dhe të pakthyeshme mjekësore.





