Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka kryer një “akt të rëndë lëpirjeje publike” duke dekoruar ish-deputetin socialist Bardhyl Agasi. Sipas Berishës, ky vlerësim për Agasin e moshuar nuk është asgjë më shumë se një përpjekje e dëshpëruar e Ramës për t’i mbyllur gojën djalit të tij, Ergys Agasit. Berisha e cilëson Ergys Agasin si një “koordinator famëzi të kartelave më të fuqishme të drogës në Evropë” dhe kreun e një grupi të strukturuar kriminal brenda AKSHI-t, “kopshtit privat të Edi Ramës“. Sipas kryedemokratit, kryeministri dhe familja e tij janë pengje të arkivave të të dhënave komprometuese që Agasi i ri zotëron.
Sipas Berishës, akti i kryeministrit dërgon një mesazh të rrezikshëm për shoqërinë, duke u thënë qytetarëve se elita bëhesh vetëm nëse je mafioz. Në të njëjtën kohë, Berisha pretendon se ky dekorim është një paralajmërim i fortë për prokurorinë që të mos guxojë të hetojë pasuritë e krimit të familjes Agasi, duke e konsideruar atë një formë presioni mbi drejtësinë. Ish-kryeministri e përfundoi reagimin e tij me deklaratën se “Drejtësia vonon por nuk harron!“, duke nënkuptuar se akuzat e tij do të vërtetohen një ditë.
Ergys Agasi, i biri i ish-deputetit të dekoruar, është figurë qendrore e disa hetimeve dhe akuzave të rënda. SPAK ka nisur hetime dhe ka lëshuar masa sigurie në kuadër të dosjes së AKSHI-t, ndërsa Agasi është shpallur në kërkim, duke u akuzuar se ka ndikuar në emërimin e zyrtarëve të lartë të policisë. Madje, Berisha ka akuzuar Agasin se ka organizuar rrëmbimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj në Lugano, Zvicër.
Ky debat i ri politik ndezur vjen në një kohë kur SPAK po zhvillon disa operacione të rëndësishme kundër krimit të organizuar, duke e bërë më të ndjeshëm çdo diskutim mbi lidhjet e dyshuara të politikanëve me botën e krimit të organizuar.
Postimi i Berishës:
“Edi Rama i lëpihet Gysit. Miq, pas përgjërimit disa ditë më parë për “virgjëreshën e korrupsionit”, Lindën e gjorë të AKSHI-t, Edi Rama kreu dje në Durrës një tjetër akt të rëndë lëpierje publike. Këtë herë ndaj vetë Ergys Agasit, duke dekoruar me pompë dhe salltanet babanë e tij, Bardhyl Agasin, si “qytetar shembullor” të Durrësit, me meritë të vetme ndaj qytetit, kapo-mafian Gysi.
Socialisti i dekoruar nga Rama është babai i Ergys Agasit, koordinatorit famëzi të kartelave më të fuqishme të drogës në Evropë dhe kreut të grupit të strukturuar kriminal të AKSHI-t. Gysi famoz akuzohet si organizator i pengmarrjeve dhe zhdukjeve të biznesmenëve e punonjësve në AKSHI —kopshtit privat të Edi Ramës. Ai është autori i krimeve më të rënda shtetërore, që nga vjedhja dhe eksportimi i të dhënave më private të qytetarëve shqiptarë, e deri te zhvatja e qindra milionë eurove në tendera publikë dhe pasuri publike.
Ky është njeriu që mban qindra e mijëra video, regjistrime, foto dhe dokumente komprometuese për Ramën, Lindën e AKSHI-t dhe Lindën e Surrelit, baxhanakun Armand Frangu e të tjerë. Në fakt, nuk dihet nëse Bardhyl Agasi ka përfituar nga pronat dhe pasuritë e vjedhura prej Ergysit, apo nëse ka hapur ndonjë shishe 36 mijë euro Romanée-Conti si Rama me të birin. Por, deri më sot, ai nuk ka thënë asnjë fjalë. Nuk ka kërkuar kurrë falje që rriti një nga monstrat më të mëdhenj të krimit dhe as nuk ka dënuar krimet e të birit. Prandaj, dekorimi i tij është një fyerje dhe poshtërim i rëndë. Është fyerje për çdo socialist të ndershëm që sheh se dekoratat e qeverisë shkojnë për familjet mafioze, dhe njësoj është fyerje për qytetarinë durrsake e për çdo shqiptar.
Këtë kreu i meduzës së krimit, Edi Rama, e di shume mirë. Ai e di gjithashtu se kjo dekoratë do të përbënte lajm botëror. Sipas kodit të mafies, ky dekorim u thotë qytetarëve të Durrësit se elitë bëhesh vetëm kur je mafioz, duke u dhënë mesazhin: “Mos guxoni të përçmoni Agasët, sepse ata janë paria e qytetit”.
Ky është gjithashtu një paralajmërim i fortë dhe serioz për prokurorinë: “Mos guxoni të hetoni apo të kërkoni pasuritë e krimit të Agasit Junior te Agasi Babë (fisniku mafioz i PS-së), sepse do të ndëshkoheni rëndë”. Pavarësisht këtij turpi, Edi Rama e ndërmori këtë akt sepse ai dhe familja e tij janë pengje të krimeve të veta, të faktuara dhe të dokumentuara mirë në arkivin e Gysit. Rama beson gabimisht se duke e ngjitur më lart në shtyllën e turpit Agasin Babë, do të arrijë t’i mbyllë gojën Agasit Junior. Drejtesia vonon por nuk harron!” – shkruan Berisha në postimin e tij në rrjetin social Facebook.





