Policia e Tiranës ka zbuluar një laborator të mirëfilltë për falsifikimin e dokumenteve arsimore dhe profesionale në zonën e Zall-Bastarit në Tiranë. Një ambient i përshtatur brenda një banese shërbente për prodhimin ilegal të diplomave të shkollave të mesme, universiteteve dhe master.
Uniformat blu arrestuan 51-vjeçarin me iniciale A.T i cili dyshohet se drejtonte këtë aktivitet. Shërbimet e policisë sekuestruan qindra dokumente të falsifikuara, licenca profesionale dhe pajisje teknologjike që përdoreshin për realizimin e tyre.
Njoftimi i policisë:
“Tiranë/Finalizohet nga Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë, operacioni policor i koduar “Laboratori”.
Zbulohet një ambient i përshtatur si laborator për falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve të ndryshme, si dhe licencave profesionale.
Sekuestrohen qindra dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme, që shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Vihet në pranga një shtetas.
Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i një pune të mirëorganizuar, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Laboratori”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi A. T., 51 vjeç.
Gjatë kontrollit të banesës së 51-vjeçarit, në Zall-Bastar, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të fshehtë, të kthyer në laborator për prodhimin dhe falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve, programeve master dhe licencave profesionale.
Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.”





